Vjosa Park Kombëtar

Kërcënimet

Për vite, i gjithë ekosistemi lumor është kërcënuar nga projektet e hidrocentraleve. Nëse ndërtohen, ato do të shkatërrojnë këtë mjedis natyror – duke shkaktuar në disa raste përmbytjen pjesëve të caktuara luginës e në të tjera raste duke lënë shtartin e lumit tërësisht të thatë. Në të gjithë pellgun ujëmbledhës të Vjosës, janë planifikuar 45 hidrocentrale, 8 në vetë lumin Vjosë dhe 37 në degët e saj.

Tre degë, Langarica, Shtika dhe lumi i Çarshovës janë prekur tashmë nga digat dhe nuk mund të jenë pjesë e Parkut Kombëtar të luginës së lumit Vjosa.

Kërcënimi kryesor me të cilin përballet Vjosa gjatë 24 viteve të fundit është plani për ndërtimin e 2 digave të mëdha në pjesën e mesme të lumit, përkatësisht: digat e hidrocentraleve të Kalivaçit dhe Poçemit.

Megjithatë edhe rrjedha e poshtme e Vjosës është në rrezik. Pranë grykëderdhjes së Vjosës në detin Adriatik, qeveria shqiptare ka në plan të ndërtojë një aeroport ndërkombëtar, brenda kufinjve të Zonës së Mbrojtur, i cili do të shoqërohet edhe më ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse e resorteve për pritjen e turistëve. Gjithë kjo parashikohet të ndërtohet pranë lagunës së Nartës. Vendimi për përcaktimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri parashikon përjashtimin nga Zona e Mbrojtur Vjosë – Nartë,  të sipërfaqes që do të përdoret potencialisht për ndërtimin e Aeroportit dhe resorteve turistike.

Në Shtator 2020, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi publikisht synimin për shpalljen e Vjosës, Park Kombëtar. Sidoqoftë, qeveria nuk kishte ndërmarrë ndonjë hap të qartë drejt këtij synimi. Planet e paraqitura nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) përfshijnë vetëm mbrojtje minimale për Vjosën, duke e shpallur atë një Park Natyror e duke lënë të hapur rrezikun për ndërtimin e hidrocentraleve në të ardhmen. Plani i AKZM në fakt është shumë larg sigurimit të një mbrojtjeje afatgjatë të integritetit natyror siç përcakton katëgoria e Parkut Kombëtar. Politikanët me sa duket kërkojnë të mbajnë derën e hapur për projektet zhvillimore  pas zgjedhjeve dhe kjo e vë Vjosën në rrezik real.