Vjosa Park Kombëtar

E vërteta mbi Vjosën

Lumi Vjosa në Shqipëri është një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Vjosa dhe shumë prej degëve të tij rrjedhin lirshëm nga malet e Pindit në Greqi deri në bregdetin Adriatik në Shqipëri. Vjosa shtrohet në një zonë të gjerë natyrore që përbëhet nga një mozaik i madh i llojeve të ndryshme të habitateve duke nisur nga grykat e ngushta në pjesën e sipërme, në seksionet e gjera gjarpëruese lumore në rrjedhën e mesme deri në deltën gati-natyrore në Detin Adriatik. Vetëm rrjedha e mesme përmban të paktën 8 lloje habitatesh që kanë rëndësi prioritare sa i përket aspekteve të ruajtjes së natyrës në kuadrin e Bashkimit Evropian.

Njohuritë shkencore rreth biodiversitetit dhe proceseve ekologjike të Vjosës janë të kufizuara. Ai është një nga lumenjtë më pak të eksploruar në Evropë. Por disa studime ekzistuese nënvizojnë rëndësinë e luginës së lumit si “pika e nxehtë” e biodiversitetit në Shqipëri që ofron habitate ujore ideale për specie të shumta. Lumi është strehë e mbi 1,100 specieve, duke përfshirë 13 specie kafshësh dhe 2 bimësh të kërcënuara globalisht dhe e të paktën 50 specie kafshësh dhe 24 bimësh të cilat janë të përfshira në Listën e Kuqe të Shqipërisë.

Pellgu ujëmbledhës u siguron fshatrave përreth tokën pjellore për aktivitete bujqësore dhe blegtorale. Bollëku dhe shumëllojshmëria e peshqve është jetike për mirëqenien e peshkatarëve vendas kryesisht në pjesën e poshtme të Vjosës. Ekoturizmi në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht në vitet e fundit në të cilët entuziastët kanë filluar të shijojnë aktivitete të tilla si rafting, kanoe, kayaking, not, etj.